PROFESOR HAZIR SHALA ISHTE, ËSHTË DHE DO TË MBETET FLAMUR LIRIE PËR JETË, PËR TË GJITHË SHQIPTARËT

PROFESOR HAZIR SHALA  ISHTE, ËSHTË DHE DO TË MBETET FLAMUR LIRIE PËR JETË, PËR TË GJITHË SHQIPTARËT.

Përkujtim  për profesorin e çështjes sonë kombëtare, z. Hazir Shala nga Barileva.

Të nderuar familjarë të profesor Hazir Shalës, të nderuar ju bashkështegtarë të këtij patrioti të  madh, të nderuar ju të gjithë të pranishëm.

Unë që po ju flas jam Ruzhdi Saramati, desha t’ju them vetëm një pjesë nga ato që duhet të thuhen për profesorin sepse sa meriton ai nuk mund ta thotë askush në kësi rastesh.

Profesor Hazir Shala, edhe që i ri nuk u pajtua kurrë me gjendjen e kombit tonë të ndarë padrejtësisht në disa shtete dhe gjysmën e Shqipnis të okupuar nga Serbia të cilës ai kurrë nuk ia ndali luftën. Për punën e tij ai u ndoq gjithmonë nga Serbia e cila e dënoi dhe e burgosi 13 vjet por nuk u mjaftua me kaq, i burgosi dy djemtë e tij: Naim Shalën dhe Afrim Shalën. Serbia, këtij populli liridashës që luftoi vazhdimisht, brez pas brezi e që me gjak e lau këtë tokë, nuk ia hoqi kurrë vuajtjen dhe torturat, tortura këto nga me të egrat që njihen në historinë e njerëzimit prandaj profesor Hazir Shala me shokët e vet u mundua në çdo mënyrë që t’ia bëjë të ditur bashkëkombësve të tij se Shqipnia duhet bashkuar dhe e hartoi Programin Kombëtar Shqiptar të cilin e vuri në realizimin përmes lëvizjes Revolucionare për bashkimin e shqiptarëve: L.R.B.SH. dhe bashkë me shokun e idealit të persekutuarin për tërë jetën, të dënuarin përjetësisht, patriotin tonë Z. Adem Demaqi themeloi Lëvizjen në fjalë. Kjo lëvizje në gjirin e vet i bëri bashkë patriotët më të shquar shqiptarë, të të gjithave trojave të okupuara shqiptare që janë: Rexhep Mala, Nuhi Berisha, Zija Shemsiu, Afrim Zhitia, Ali Ajeti, Zahir Pajaziti, Bedri Sokoli, Fadil Vata – nga të renet sepse të gjallët janë shumë të cilët i përshëndesim me shumë nderim, që vepruan deri në organizimin e njësiteve guerile të cilat përgaditshin ushtarakishtë për luftë të armatosur Çlirimtare.

Unë dhe ilegalët e tjerë kemi marrë shpesh mësime, këshilla e udhëzime nga profesori Hazir Shala, çdo këshillë e tij na ndihmonte në organizimin sa më efikas të veprimtarisë sonë kombëtare ilegale të asaj kohe.

Në vitin 1987, në kuadër të kësaj lëvizjeje themelohet Komiteti Kombëtar Shqiptar për bashkimin e trojeve. Pastaj bëhet themelimi i dy qetave dhe një brigade ushtarake nga ilegalët e at’hershëm si vijon: Në Drenicë me 28 nëntor 1987 themelohet qeta e parë me karakter ushtarak që quhej qeta e Drenicës  (Azem Galica) me komandant Legjendarin Adem Shaban Jashari; Në Llap themelohet qeta e Llapit me komandant Ali Ajetin kurse në Prizren themelohet Brigada 28 sulmuese  Lidhja Shqiptare e Prizrenit me komandant Ruzhdi Saramatin. Ky ishte një kurorëzim i përpjekjeve tona për çlirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare, qëllim ky qëishte edhe i Lëvizjes Revolucionare të Bashkimit të Shqiptarëve. Edhe në atë kohë nga këto tri njësi komandant i përgjithshëm u zgjodh Adem Jashari dhe u vendos që të themelohet Ushtria e Kosovës komandant i së cilës u emërua patrioti Azem (Riza) Syla, ushtri së cilës do t’i bashkangjiten edhe tre luftëtarë djemtë e Hazir Shalës. Në këtë drejtim kontribut të madh në fushën ushtarake dhanë: Shaban Jakup Braha, kurse në pjesën e sektorit politik ishin: prof. Hazir Shala, magjistër, Halil Alidema, magjistër, Ukshin Hoti, prof. Avdyl Krasniqi e të tjerë.

Nuk dua të zgjatem për arsye se në kësi rastesh nuk mund të pasqyrohet veprimtaria e profesorit të nderuar. Për fund, ju ftoj që të gjithë juve që bashkështegtuat me profesorin të vazhdojmë në rrugën e tij, që ku e la si dhe ta bëjmë realitet kërkesën e të gjitha gjeneratave që vepruan dhe luftuan për të vetmin qëllim, pra për Bashkimin definitiv të trojeve Etnike shqiptare në një shtet të të gjithë shqiptarëve kudo që ata janë që do të quhet Shqipni, ashtu si e deshti profesori i nderuar Hazir Shala: Rroftë Shqipnia e bashkuar, rroftë populli shqiptar i lirë në trojet e veta.

Lavdi jetës dhe veprës së profesorit tonë Hazir Shala.

Ju faleminderit!

E përgaditi dhe e lexoi bashkëveprimtari i profesor Hazir Shalës, Ruzhdi Saramati nga Dobrushti i Prizrenit.

27.09.2014

Biblioteka Kombëtare

Prishtinë