Në luftën e UÇK-ës nuk ka ekzistuar “FARK”-u

Kohën e fundit i kam dëgjuar disa deklarime publike që po bëhen në lidhje me të ashtuquajturin “FARK”. Nuk e kam ndërmend të zgjerohem shumë e të flasë për atë që nuk jam kompetent, por më intereson të flas në lidhje me mobilizimin e përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Kukës në periudhën mars-prill 1999. Gjatë kësaj kohe, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-ës më pati emëruar përgjegjës dhe komandant i mobilizimit të përgjithshëm në pikën 1 dhe 2 në Kukës. Mund të themi se mobilizimi ka shkuar në mënyrë shembullore. Të gjithë ushtarët janë rreshtuar nën emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dhe bëhet fjalë për afër 5.000 ushatër të mobilizuar. Asnjëherë dhe askund nuk është përmendur e as nuk ka ekzistuar fjala "FARK".

Këta ushtarë, sapo i kanë kryer stërvitjet, janë dërguar nëpër frontet e luftës brenda në Kosovë, pastaj në Koshare (operacioni “Shigjeta”-1), Pashtrik (operacioni “Shigjeta”-2), etj. Të gjithë këta ushtarë kanë qenë luftëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Absolutisht nuk është e vërtetë, se kinse ushtarët që kanë luftuar në Koshare, kanë qenë formacion i të ashtuquajturit "FARK". Me të vërtetë, ky është një manipulim me luftëtarët. Këtë e di shumë mirë zotëri Rrustem Berisha ish-komandant i Brigadës 138 “Agim Ramadani”, Esat Krasniqi, ish - anëtar i Shtabit të Brigadës 138, etj. Tashmë, ekzistojnë listat e ushtarëve të mobilizuar, të cilët janë dërguar për luftë në Koshare nga pikat e mobilizimit në Kukës. Kjo hallkë ka funksionuar në mënyrë zyrtare, dhe në kuadër të strukturës së Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-ës. Këtë, nuk e di vetëm unë, por të gjithë anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-ës. Bile, eprorët dhe oficerët e Brigadës 138, që perceptoheshin si formacion i FARK-ut, janë zotuar para Xheladin Gashit – “Plaku”, komandant i logjistikës së përgjithshme të UÇK-ës, dhe para anëtarëve të tjerë të Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-ës, se do të punojnë dhe veprojnë në kuadër të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe nën urdhërat e Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.  Këta, që sot po trumbetojnë për të ashtuquajturin “FARK”, e dinë këtë punë shumë mirë, dhe është e papranueshme, të thuhet diçka që s’ka ndodhur.

Kemi edhe shumë gjëra të tjera për të thënë, por me këtë paraqitje, deshta të përmendi se luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që kanë luftuar në Koshare, kanë qenë pjesë e mobilizimit të përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, dhe është gabim të njollosen se kanë qenë të “FARK”-ut. Unë, një gjë e di, se i ashtuquajturi “FARK” nuk ka bërë mobilizim të ushtarëve, dhe ne nuk kemi pa asnjë emblemë tjetër, përveç asaj të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Prizren, 31.03.2014

Me respekt,
Shtabi i Brigadës 128 S, ZOP,
UÇK,

Nën-Kolonel

Ruzhdi Saramati

(Komandant i Brigadës 128 S)