Operacioni SHIGJETA

Foto - Galeria • KLIKO



OPERACIONI “SHIGJETA”, HAP VENDIMTAR I QEVERISË TË PËRKOHËSHME TË KOSOVËS, NË ZBATIM TË MISIONIT HISTORIK TË U.Ç.K.-ës, GJATË LUFTËS NË KOSHARE DHE PASHTRIK, PËR ÇLIRIMIN E KOSOVËS

Lufta  që u zhvillua në  Kosovë në  vitet  1998-1999, ishte  sa e rreptë, po aq edhe e ndërlikuar. Zanafilla e saj është në fillimet e shekullit të kaluar, në kohën kur shëmbeshin kufijtë e një perandorie në vdekje e sipër dhe ndërtoheshin e fuqizoheshin shtete të rinj ballkanik. Në këtë përndarje të re traktatesh, filloi lufta e këtij populli, e cila vazhdoi gati pothuajse për një shekull. Ajo u kurorëzua me përleshjen e armatosur dhjetëvjeçare në dekadën e fundit të shekullit të 20-të, kur bijtë dhe bijat më trime e më të zgjuar të këtij populli, ditën jo vetëm të luftojnë dhe të mposhtin barbarinë Serbosllave, por të ndërtojnë një politikë e diplomaci të atill praktike, reale dhe bindëse, sa që sollën në një prej këtyre ditëve, gjithë botën në mbështetje të vetes, për çlirimin e këtyre trojeve përjetësisht Shqiptare. Në këtë luftë të zhvilluar hap pas hapi, duke filluar nga më e thjeshta tek e përbëra dhe nga kjo e fundit në të vështirën e të ndërlikuarën, procesi luftarak u organizua, zhvillua dhe u drejtua në përputhje të plotë me vendin, kohën, faktorin politik, ekonomik dhe ushtarak të brendshëm e të jashtëm, si dhe impenjime të tjera anësore, që ndikuan direkt apo indirekt, në vazhdimësinë dhe përfudimin e  këtyre veprimeve luftarake.

Nisur nga këto kushte e rrethana të favorshme e disfavorshme, ecuria e zhvillimit luftarak në Kosovë u krye sipas nismave, planeve dhe objektivave të parapara të vijës politike e asaj ushtarake, në harmoni të plotë me konjukturat e ndryshme të zhvillimeve në Ballkan, Evropë dhe në krejt rruzullin tokësor. Këto ecuri ishin të pashkëputura, nga zhvillimet e brendshme e të jashtme, të cilat me ndikimet e tyre, e  shtynë procesin e fitores nga dita në ditë, drejt realzimit të misionit historik. Për vazhdimësinë e vet kjo luftë, ashtu si dhe luftërat e tjera, pati pikat e nxehta e kulminante, nga ku u muarën kthesa e  inisiativa  të mëdha e historike. Në këtë kontekst, në analizë të tyre brenda këtyre thellësive dimensionale, është me rëndësi jetike lufta në Prekaz, Beteja e Jasharajve Legjendar, e asaj ushtrie të vogël në numër dhe e  madhe në shpirt e në zemër, me veprën e tyre madhore, ngritën peshë jo vetëm popullin Shqiptar brenda në Kosovë, atë në emigracion e trojet e tjera etnike, por me sakrificën e tyre sublime e qëndresën heroike, të prirë nga  legjenda e kohërave të reja, Adem Jasharin, i treguan mbarë botës, se cilët janë e përse luftojnë Shqiptarët.

Ofensiva genocidale Serbe në verë të vitit 1998 dhe vazhdimi i sajë gjatë vjeshtës të atij viti, në përballje me U.Ç.K.-ës, u gjënd përpara situatave të reja. U.Ç.K.-ës nuk ishte më ajo e viteve të shkuara. Kjo ushtri e dalë nga gjiri i popullit të vet, nuk kish qëndruar në vend. Së bashku me ecurinë e zhvillimit luftarak, ajo u transformua gradualisht në ide, mendim dhe veprim. Organizimi i ri i kryer gjatë kësaj periudhe, krahas pjekjes së veprimit luftarak, konsolidoi më tej strukturën e re, duke krijuar kështu kushte tepër të volitshme, për të kaluar në një formë të re  lufte, në atë frontale me rreshtime luftarake, tashmë të mbështetura fuqimisht në tokën e trungut amë.

U formulua kjo ide, në një kohë kur Beogradi zyrtar e mediat e tij, propaganduan me bujë të madhe, “se U.Ç.K.-ës më në fund u shkatërrua” , “se U.Ç.K.-ës ishte shpërbërë”, “se në emër të U.Ç.K.-ës flisnin e vepronin grupe individësh të qënë aty-këtu”, mendime këto, që në njëfarë shkalle, u mbështetetën edhe nga reaksioni i brendshëm në Kosovë, i organizuar në mënyrë të qëllimshme nga ideatorët e makinës luftarake Serbosllave. Por dhe pse U.Ç.K.-ës, u përgojua në  mediat  Serbe,  sipas  interesave të vet Beogradit, Shtabi i përgjithshëm i U.Ç.K.-ës, nisur  nga  inisiativa  morale  që  e  mbizotëronte, lëshoi më  17.02.1999  komunikatën  me  Nr.013  ku  u  bëri  thirrje,  “gjithë  istitucioneve  shtetërore,  partive  politike, shoqatave atdhetare  dhe individëve  të  ndryshëm,  të  ndihmojnë  me  të  gjitha  mënyrat” Kosovën në luftën e sajë të  përgjithëshme, për  çlirimin e plotë  të  popullit të vet, nga  zgjedha  koloniale Serbo-sllave.

“SHIGJETA”  VEPËR E QEVERISË SË PËRKOHSHME TË KOSOVËS

Pikërisht në këto situata tepër të studiuara e të koordinuara brënda vetes dhe me botën, mendimi i politikës luftarake Kosovare, i ndërtuar dhe konsoliduar tashmë në një shtab të madh, të përbërë nga pjesa politike dhe ajo ushtarake, ngriti themelet për të hedhur hapin vendimtar historik, në krejt epopenë e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në luftë për jetë e vdekje, për çlirimin e Kosovës nga regjimi më i urryer i të gjitha kohërave, ai serb i Beogradit të  tërbuar  nacionalist .

Qeveria e re e dalë pas marrëveshjes historike të Rambujesë, e kryesuar dhe drejtuar me një zgjuarësi të veçantë nga trimi Drenicak  Hashim Thaçi, në vazhdimësi të zbatimit të planeve të sajë largëpamëse në fushën ushtarake, duke qenë njëkohësisht dhe komandant i U.Ç.K.-së, hartoi projekte të reja në zbatim të obligimit historik përfundimtar. Këto detyra u zbërthyen dhe u konkretizuan më tej nga Ministri i Mbrojtjes i Q.P.K.-ës, ish-komandanti për shumë vite me radhë i U.Ç.K.-së, luftëtari i vendosur deri në vdekje, njeriu sa i dashur, aq edhe i rreptë, patrioti Azem Syla dhe Zv/Ministri i Mbrojtjes Fatmir Lima, i mirënjohuri “Çeliku”. Në këtë vazhdimësi, Shtabi i Përgjithshëm i U.Ç.K.-së, i drejtuar nga kolonel Bislim Zyrapi, heroi i dy luftërave në  Bosnje e Kosovë, oficeri sa nacional aq edhe internacional, me veprimet që ia kërkoi koha dhe ia imponoi vet situata e re e krijuar luftarake, i konretizoi më tej këto ide, projekte e detyra, në kuadër të dhënies së një goditjeje të re luftarake, duke përpiluar idenë e një operacioni të madh, të koduar tashmë me emrin e mirënjohur “SHIGJETA”.

Për këtë operacion, si pjesë përbërëse e të pandarë të veprimit luftarak kosovar, ashtu si për krejt luftën gati dhjetëvjeçare, të zhvilluar në dekadën e fundit të njëqindvjeçarit të kaluar, janë dhënë mendime të ndryshme, nga autorë të gjinive të shumë fushave, këndej dhe andej kufirit imagjinar Shqiptaro-Shqiptar, si dhe nga disa specialistë politik e ushtarak përtej këtyre kufijve, ku nëpërmjet penës kanë shfaqur pikëpamjet, opcionet, vërejtjet e  kritikat, për atë veprim luftarak të zhvilluar në pranverën e përgjakur të vitit 1999. Mbështetur në ecurinë politike e diplomatike botërore e evropiane, Q.P.K.-ës orientoi SH.P. të U.Ç.K.-së, të marrë masat konkrete në organizimet e reja të veprimeve luftarake. Kështu, më 31.03.1999, Shtabi i Përgjithshëm i U.Ç.K.-ës nxori vendimin me numër 151 për mobilizimin e përgjithshëm, për të përballuar onfesivën e re serbe, për çlirimin përfundimtar të Kosovës. Në vazhdimësi të zbërthimit dhe konkretizimit të mëtejshëm të detyrave, Shtabi i Përgjithshëm i U.Ç.K.-ës, nxori njërin pas tjetrit urdhërat Nr.97, datë 31.03.1999 dhe atë me nr.98, datë 31.03.1999. I pari preçizonte vendimin e marrë nga ky shtab luftarak dhe i dyti garantonte sigurimin e kompletimit gjatë mobilizimit të përgjithshëm me anën e Policisë Ushtarake. Këto dokumenta mbajnë vulën përkatëse të Shtabit të Përgjithshëm të U.Ç.K.-ës dhe firmën e Shefit të Shtabit të përgjithshëm të asaj kohe, luftëtarit të mirënjohur të Kosovës dhe Bosnjës Kolonel Bislim Zyrapi.

Për ndjekjen e kësaj ecurie, Shtabi i Përgjithshëm i U.Ç.K.-ës, nën drejtimin e kolonel Bislim Zyrapit, në konkretizim  të mëtejmë të detyrave të ngarkuara nga Hashim Thaçi, kryeministër i QPK dhe Azem Syla, Ministër i Mbrojtjes, hartoi një projekt Plan operativ “SHIGJETA”, me paqartësira të dukëshme për realizim, me numër J-03/1  datë  31.03.1999, ku në mënyrë tekstuale është paraqitur organizimi i forcave, situata konkrete, detyrat  e  forcave tona, zbatimi, sigurimi i operacionit, komandimi dhe ndërlidhja. Ky ishte një plan i thjeshtë parashikues tekstual, i pakompletuar me dokumentacionie e nevojshëm për zhvillimin e një operacioni luftarak. Ai nuk siguronte parametrat e duhura për zhvillimin normal të luftimeve operacionale, e për më keq të atyre që e kishin përpiluar, ai nuk mund të siguronte fitoren e duhur, por në të kundërtë, mund të shkaktonte dhe dështime tepër të ndjeshme, pikërisht në kohën kur luftës po i  afrohej fundi. Për të çuar deri në fund detyrën e ngarkuarnga QPK-ës, Azem Syla Ministër i Mbrojtjes dhe kolonel Bislim Zyrapi Komandant operacioni, miratuan për zbatim, zbërthimin në rrugë akademike të planit të operacionit  me ide të qartë e qëllimin të caktuar, përbërjen luftarake të dy palëve, dëndësinë dhe raportin e forcave, urdhërin luftarak me detyra të preçizuara të njësive e reparteve dhe planin për zhvillimin e veprimeve luftarake. I gjithë planizimi i këtij operacioni, u konkretizua dhe u zbërthye,  duke u kompletuar me të gjitha kërkesat e nevojshme e të domosdoshme nga shtabi drejtues i këtij operacioni, nën drejtimin e  ish Shefit  të  Shtabit  të  përgjithshëm   Kolonel  Bislim Zyrapit dhe Spiro Butka  si  Zv/Komandant i atij operacioni.

Ngjarjet pasuan njëra-tjetrën, me ecuri të mirëfilltë. Nga ana e Ministrit të Mbrojtjes, u kryen emërimet e nevojshme për komandën dhe shtabin e operacionit, ato të drejtimeve operative, të drejtimeve taktike e në disa raste deri në emërimin e disa komandantëve të batalioneve. Por, për të qenë sa më real dhe për t’i ballafaquar me fakte konkrete, ata individë të pamoralshëm, që janë munduar e po mundohen të ndryshojnë historinë, është në të mirë të së tashmes dhe të ardhmes, që gjithmonë kur flasim  e shkruajmë për luftën e popullit tonë, duhet të pasqyrojmë gjithmonë realitetin e kohës, ashtu si ka qenë dhe si është zhvilluar. Kështu, në ballafaqim të fakteve dhe argumenteve bindëse, mund të përmendim se nga ekzistenca e dokumenteve nr. 10 datë 1.04.1999, ai me nr.11 datë 1.04.1999, ai me nr.12 datë 10.04.1999, ai me nr.13 datë 17.05.1999 dhe ai me nr.14  datë  23.05.1999, paraqitet  realiteti  i  asaj  kohe  dhe se  këto  në  vetvete  mbajnë vulën e Ministrisë së Mbrojtjes të Q.P.K.-ës, të firmosur nga titullari i atij dikasteri Azem Syla. Në këto dokumente, sipas hierarkisë ushtarake, janë emëruar komanda e frontit të operacionit “Shigjeta”, me komandant kolonel Bislim Zyrapin dhe shtabin e përbërë nga kolonel Spiro Butka, major Shaban Musliu, major Mark Shala, kapiten Shefki Abdullahu, Fadil Hoxha, Agron Haradinaj,  Gramoz Kelmendi, Idriz Mehmeti, Alush Shala, Agim Sulejmani, Agron Axhami, Hysni Hoxha, Halit Krasniqi e të tjerë,  të cilët të vendosur në pozicionet e tyre drejtuese luftarake, kryen detyrat në vazhdimësi të operacionit “Shigjeta”, në përputhje me të gjitha urdhërat e detyrat e vëna, nga Q.P.K.-ës, Ministri i Mbrojtjes Azem Syla dhe komandanti i frontit të këtij operacioni, kolonel Bislim Zyrapi.

Në vazhdimësi të veprimeve të mëtejshme, duhet theksuar se puna nuk ngeli me kaq, por u thellua më tej. Kështu, në ecurinë e rrugës për organizimin e këtij operacioni, nga Ministri i Mbrojtjes të asaj kohe Azem Syla, u emëruan komandantët e drejtimeve operative nr.1 dhe nr.2, ku përkatësisht në të parin që ishte në drejtim të Koshares, u emërua Rustem Berisha, ndërsa në të dytin, atë Pashtrikut, Nexhmedin Kastrati. Në këto emërime të kryera  në interes të organizimit të operacionit “Shigjeta”, puna u konkretizua më pas. Kështu, në ballafaqim të fakteve konkrete, del se po me urdhër të Ministrit të mbrojtjes Azem Syla, u emëruan  komandantët e disa drejtimeve taktike, si Uran Rexhepi drejtimi taktik nr.1, Bilal Syla drejtimi taktik nr.2, Ruzhdi Saramati në drejtimin taktik nr.3, Hysni Syla në drejtimin taktik nr.4 etj. Në vazhdimësi të zbërthimit të këtyre urdhërave e emërimeve, po nga Ministri i Mbrojtjes Azem Syla e me firmën e tij, u emëruan edhe shtabet përkatëse të këtyre drejtimeve operative dhe atyre taktike, e deri tek emërimi  i  disa komandntëve të batalioneve për drejtimin taktik  më kryesor , atë Nr.2 të Pashtrikut, ndër  të  cilët Dritan Dyrmishi, Ermir Bega dhe Agim Sallaku. U cilësuan më sipër këta numra e shifra të dokumenteve të asaj kohe, për të vërtetuar konkretisht  dhe  për t’u treguar  individve intrigantë e të pamoralshëm, që kërkojnë të ndryshojnë historinë, për të ndërtuar atë në interes të vetes dhe klaneve të reja politike e ushtarake, të dala tani në pas luftë si “këpurdhat pas shiut”. Këtij realiteti i kundërvihet më së shumti mashtruesja Rajmonda Maleçka, e cila në një libër të sajë, “Hasi midis luftës dhe lirisë”, krahas transformimit të historisë të asaj krahine luftarake, për interesa vetiake, gënjen dhe mashtron, duke nxjerr të tjerë drejtues të operacionit “Shigjeta”, në një kohë kur urdhrat e mësipërmë, argumentojnë realitetin e pastër të atij veprimi luftarak të UÇK-ës. Urdhërat e lëshuar nga ish Ministri i Mbrojtjes Azem Syla dhe ato që do të rrjedhin më poshtë, gjatë zbërthimit të detyrave të këtij operacioni, është në të mirë të historisë së popullit tonë dhe patjetër dhe të dashamirësve që kanë shkruar e do të shkruajnë në të ardhmen, gjatë konkretizimit të kapitujve historik, të rreshtojnë veprën e popullit dhe të bijve të tij, ashtu si ka ndodhur, pa paragjykime të ngushta partiake e ngjyrime politike.

PLANIZIMI LUFTARAK I OPERACIONIT “SHIGJETA”

Ngjarjet politike dhe ushtarake në fillim të vitit 1999 e më pas, rrodhën në atë mënyrë e atë rrugë, që për të ardhmen shtruan detyra dhe kërkuan avancime të mëtejme për ecurinë e zhvillimit luftarak dhe  për të kurorëzuar me sukses e sa më shpejt, obligimin historik si kërkesë të domosdoshme e jetike për vet kohën, vendin dhe situatën e krijuar shumë të favorshme, në arritjen e qëllimit përfundimtar. Në këtë kontekst, mbështetur plotësisht në situatën e re e tepër të favorshme, të krijuar sidomos pas 24 marsit 1999, ditën kur Pakti i Atlantikut Verior, hodhi në veprim arsenalin e vet ajror, në luftë kundër ushtrisë Jugosllave, u ndie nevoja e domosdoshme, për të ndërmarrë veprime më të shpejtuara. Kështu, nga komandanti i këtij fronti të ri, kolonel Bislim Zyrapi, u hodhën hapa të studiuar e të menduar mirë, për fillimin praktik të veprimeve të këtij operacioni, në përputhje me idenë e  parashikuar që më parë.

IDEJA E OPERACIONIT

Në përputhje me këtë projektplan tekstual, të hartuar nga SH.P. i U.Ç.K.-ës me në krye Shefin e Shtabit të Përgjithshëm Kolonel Bislim Zyrapin, u ndërtua ideja që “me forcat e ardhura nga perëndimi, pas organizimit e përgatitjes intensive për llojet kryesore të luftimeve, të organizohet, planizohet dhe të zhvillohet operacioni “SHIGJETA”, në frontin Bardoc (6020-6030), Papaj (3000-0020), Lujza (2570-8560), Kukës (5030-5090). Të kalohet në mësyemje frontale në drejtimin kryesor Mali i Pashtrikut (6040-7050), Lubizhdë (7000-8035), Krusha e Madhe (7090-8070), Rahovec (7500-9080), Prishtinë (1500-2500) dhe në drejtimin ndihmës: Tropojë (3520-9080), Skivjan (4500-0075), Drenovc (7595-0595), Gllogovc (9035-2025) së  bashku  me  Z.O. të Dukagjinit, Z.O. të Pashtrikut dhe të Z.O. të Drenicës, të rrethojnë dhe asgjësojnë forcat serbe në frontin: Zhur (7080-6095), Ferizaj (2030-9050), Prishtinë (1500-2500), Koshare (3065-0080). Në vazhdimësi të luftimeve të mëtejshme për arritjen e qëllimit përfundimtar, të vazhdohet mësyemja në drejtim të kufijve verior të Kosovës dhe në bashkëveprim  me Z.O.Mitrovicës, Z.O.Llapit, Z.O.Narodimes Z.O.Karadakut të rrethohen dhe asgjësohen forcat Serbe në rajonet e Mitrovicës (9000-4595), Prishtinës(1050-2050), Podujevës (1550-5030), Ferizaj(1095-9050) e Gjilanit(4075-9035) dhe të vendoset situata në vend”. Kjo ide, u përcaktua në mënyrë të qëllimshme e me këto synime të mëdha. Ajo ishte dhe do  të ngelet  si  e  tillë, sepse kërkonte me çdo kusht, realizimin e objektivave të obligimit të madh historik. Ajo u projektua me këtë mendim ushtarak të argumentuar, sepse ishin marrë tërësisht masat organizuese, për arritjen e qëllimit të parapar. Për më tepër, kurajoz ishte ndërtimi i bashkëveprimit me forcat e N.A.T.O.-s,  gjë që nëpërmjet ngritjes së moralit, në një shkallë më të lartë të luftëtarëve të këtij operacioni, rriti më tej besimin për një fitore të padiskutueshme.

QËLLIMI I OPERACIONIT

Në mbështetje të kësaj ideje operacionale, qëllimi i operacionit “Shigjeta” ishte që, “nëpërmjet mësymjes së vrullshme të forcave të frontit operativ”SHIGJETA” dhe forcave të U.Ç.K.-ës që vepronin brenda territorit të Kosovës, t’u jepej forcave Serbe, goditja përfundimtare, në bashkëveprim të ngushtë e të fshehtë me forcat ajrore të N.A.T.O.-s, të çlirohej  territori i Kosovës dhe të stabilizohej gradualisht situata në të gjithë vendin”.

PËRBËRJA LUFTARAKE E TË DY PALËVE

Në zbërthim të idesë së operacionit dhe qëllimit të tij, në ballafaqim me realitetin luftarak të ri,  pas fillimit të bombardimeve të njëpasnjëshme nga ana e N.A.T.O.-s në interes të U.Ç.K.-ës, nisur nga ndërtimi i rreshtimeve luftarake të dy palëve, del se përbërja luftarake e tyre në këtë përballje, për forcat tona konsistoi në pjesëmarrjen e FRONTIT OPERATIV me Drejtimi1-rë Operativ; Drejtimi 2-të Operativ; Drejtimi 3-të Operativ; Zona Operative e Drenicës; Zona Operative e Pashtrikut; Zona Operative e Dukagjinit; Zona Operative e Shalës; Zona Operative e Llapit; Zona Operative e Nerodimës dhe Zona Operative e Karadakut, të cilët gjatë veprimeve luftarake, u mbështetën fuqimisht nga forcat ajrore të N.A.T.O.-s, në të gjithë thellësinë e territorit të Kosovës. Për forcat Serbe përbërja e tyre konsistoi në pjesëmarrjen e K52K Prishtinë, me Br243T, Br354M, Br549M, Br52AO, R52AK dhe Br52KL, duke u mbështetur fuqimisht nga Korpusi Special i Beogradit.

DENDËSIA DHE RAPORTI I FORCAVE

Përballja në këtë veprimtari luftarake e të dy palëve, në përputhje me situatën e krijuar, sidomos pas ndërmarrjeve të inkursioneve të njëpasnjëshme të N.A.T.O.-s nga ajri, rezulton  një superioritet i  shmangshëm i forcave tokësore  Serbosllave nga ana numerike dhe pajisja me armatim e teknikë  të  pjesëshme  të  kohës. Megjithatë, mbështetur në veprimtarinë luftarake të brendshme në Kosovë të mbi njëzet Brigadave, të cilat karakterizoheshin nga sulmi i rrufeshëm luftarak në lëvizje e veprim dhe përqëndrimi i forcave të frontit operativ të përbërë nga tre Drejtime Operative, të mbështetur fuqimisht nga aviacioni bombardues i N.A.T.O.-s, ky raport zbutej dhe arrinte, që U.Ç.K.-ës të krijonte epërsi vetëm në drejtimin e goditjes kryesore për sasinë e Brigadave të Lehta Malore dhe atyre të Drejtimeve Taktike.  Gjitësesi edhe pse në sfondin e pamjes ushtarake, ky raport forcash nuk paraqiste dukuritë e realitetit të kërkesave normale, zhvillimet e mëpasëshme treguan dhe vërtetuan, se inisiativa e ndërmarrë, jo vetëm që nuk ishte e nxituar, por tepër e guximshme, e arsyeshme dhe e justifikueshme. Kjo për shumë arsye bindëse, por më  tepër  për atë që ka për të mbetur në jetë të jetëve kryesore, është se lufta zhvillohej në territorin e një populli dhe nga vet ky popull. Kushdo që lufton duhet të mendohet mirë në ndërtimin e raporteve, kur lufta zhvillohet kundër një populli, e aq më tepër kundër një kombi. Kjo është vërtetuar nga eksperienca e shumë luftërave, por më së  tepërmi rezultatet e kësaj dukurie, u vërtetuan  në shumë vende e popuj,  gjatë  dhe  pas Luftës  së  Dytë  Botërore. Me theks të veçantë këto përkufizime, morën përparësinë e duhur  në  luftërat e  zhvilluara  nga popujt e ish-Jugosllavisë kundër Serbisë   dhe  ato  që  vazhdojnë  edhe  sot e kësaj dite në Palestinë  e  Çeçeni.

VËNIA E DETYRAVE LUFTARAKE

Si në çdo veprimtari tjetër luftarake, ashtu edhe në operacionin e mirënjohur “Shigjeta”, në zbatim të idesë së këtij operacioni, u përpilua  Urdhëri Luftarak Nr.01, me të gjitha kërkesat e anekset e tij. Ndoshta jo ashtu në mënyrë perfekte e shkollareske, si praktikohet në akademitë ushtarake gjatë proceseve mësimore e stërvitore, por gjithsesi  ashtu  në nxitim e sipër, si në kushtet e luftës, për kohën që ishte në dispozicion e që e lejuan situatat imponuese. Ky urdhër luftarak përmban të gjitha detyrat konkrete për njësitë e repartet përkatëse, që morën pjesë në këtë operacion dhe në ballafaqim të fakteve reale, do të përmend se në atë dokument, u pasqyrua realiteti i armikut, pra i forcave Serbe, detyra e frontit operativ (operacionit “Shigjeta”), ideja e vendimit, detyrat luftarake të D.1.O; D.2.O; D.3.O; detyrat  e artilerisë, detyrat  e aviacionit mbështetës  të N.A.T.O.-s, sinjalet e komunikimit, gatishmëria për mësymje, vendndodhja e V.K. e Frontit Operativ  dhe  drejtimi i lëvizjes së saj. Urdhëri u shoqërua me një plan veprimesh luftarake, ku u  zbërthyen hollësisht,  zbatimi i detyrave, që u kërkuan nga ky urdhër luftarak.

PLANI I VEPRIMEVE TË OPERACIONIT

Në planin  e  veprimeve të këtij operacioni, në mënyrë paraprake u zbërthyen proçeset më kryesore të fillimit të operacionit, deri në momentin e fillimit të sulmit, sepse për më pas detyrat për çdo drejtim operativ apo taktik, janë të parapara e të shkoqitura në urdhërin luftarak, të shpjeguar më sipër, e që përmban numrin e mirëfilltë 01. Ky plan veprimesh përmban zhvillimet e hollësishme të operacionit “Shigjeta”, duke filluar që nga lëvizja e grupeve të zbulimit për sigurimin e kalimit, lëvizjen dhe marshimin e eskalioneve të para nga rajoni i përqëndrimit për në bazën e nisjes; marshimin e skalioneve të dyta për në rajonet e përqëndrimit; lëvizjen e rezervave për në vendvendosjet e tyre dhe disa masa informimi të detyrueshme, për tu kryer nga zbatuesit e këtij operacioni. Vetëkuptohet që gjatë hartimit të këtij plani, për marrjen dhe zbatimin e masave paraprake, u punua nga të gjithë drejtuesit, ditë e natë, që nga kreu i Ministrisë së Mbrojtjes Azem Syla, Zv/Ministri i Mbrojtjes Fatmir Lima, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm  të U.Ç.K.-ës  dhe  njëkohësisht  komandanti i operacionit Kolonel  Bislim Zyrapi dhe nga të gjithë shtabet përkatëse, duke filluar që nga shtabi i operacionit, ata të drejtimeve operative, të drejtimeve taktike  e  repartet poshtë në batalione, kompani  dhe deri tek luftëtari i thjeshtë.

Vlen të theksohet, se gjatë organizimit të këtij operacioni, u përdorën mjete ndëridhjeje e komunikimi të sofistikuara, mjete këto që ndihmuan pozitivisht, në ecurinë e zhvillimit të këtij operacioni. Ato u siguruan nga një  ekip iv eçantë  i  SH.B.A.-ës,  të  atij shteti  që  nuk u  ndal asnjëherë  për  dhënjen e  ndihmës  konkrete, si dje në luftë ashtu edhe sot në paqe. Me anën e këtyre mjeteve, u transmetuan urdhëra, detyra dhe udhëzime të ndryshme,  në interes të zhvillimit me sukses, të veprimeve luftarake të operacionit. Gjatë këtyre komunikimeve u përdorën kode e shifra të pathyeshme, të ndërtuara posaçërisht dhe  enkas  për këtë qëllim, duke siguruar fshehtësinë e plotë, gjatë gjithë zhvillimit të veprimeve operacionale, si për palën tonë, ashtu dhe për atë të bashkëveprimit me forcat ajrore të Paktit të Atlantikut Verior të N.A.T.O.-s.

ZHVILLIMI I VEPRIMEVE OPERACIONALE

Për zhvillimin e veprimeve luftarake të këtij operacioni, janë dhënë mendime nga më të ndryshmet , duke filluar që nga oficerët e mirëfilltë të karrierës ushtarake, luftëtarët e njohur të betejave të panumërta të U.Ç.K.-ës, e deri tek luftëtarët pjesëmarrës direkt në front të këtij operacioni, mbështetur në shënimet, përshkrimet dhe ditarët e mbajtur nga vet këta luftëtar, gjatë zhvillimit të këtyre luftimeve. Është e natyrshme dhe plotësisht e justifikueshme, që të gjitha këto mendime janë të qarta, aq sa është dhe vizioni i tyre, i njohur me këtë ide, të zhvillimit e drejtimit, për pozicionin e vet, që këta individ kanë patur, në kompleksitetin e detyrave të caktuara të këtij operacioni në  veçanti  e të luftës  së  Kosovës  në  tërësi. Mbështetur në dokumentet përkatëse të planifikimit, të drejtimit dhe të zhvillimit të këtij operacioni, një analizë paraprake dhe disa konkluzione janë dhënë shumë kohë më parë, pothuajse para disa vitesh në revistën javore “Zëri”, me numër 1739, datë 17 maj 2000 nga komandanti i këtij operacioni, kolonel Bislim Zyrapi dhe pjestar tjerë të shtabit drejtues të këtij operacioni. Nisur nga këto analiza dhe konkluzione të argumentuara e të dokumentuara nga shtabi i këtij operacioni,  gjatë zhvillimit dhe në përfundim të tij,  është treguar konkretisht se si u organizua, zhvillua dhe u drejtua  ky operacion.

Por, për të qenë gjithmonë real, e plotësisht i përputhur me ndodhitë e veprimeve konkrete, të depozituara nëpërmjet dokumenteve ekzistuese,  e të arkivuara të këtij operacioni, vlen të theksohet se operacioni “Shigjeta”, për mënyrën e vet të organizimit, zhvillimit dhe të drejtimit, pati karakteristikat e tija të përgjithshme e të veçanta. Ashtu si ishte planizuar, sipas strategjisë e doktrinave të kohës, edhe për U.Ç.K.-ës erdhi ajo fazë veprimi, për të kaluar nga veprimi i kombinuar guerilo-sulmues-frontal, në atë klasik frontal, për të arritur qëllimin e lartë, të misionit historik të marrë për obligim. Operacioni “Shigjeta” është i një lloji të veçantë, jo vetëm nga mënyra e planizimit, organizimit, zhvillimit dhe drejtimit, por dhe të zbatimit të formave të reja të luftimit, në përshtatje me kohën, vendin, situatat politike, ekonomike, veprimtarinë diplomatike, e aq më tepër për atë të planizimit të luftës psikologjike, që u aplikua e zhvillua me sukses, gjatë gjithë gjerësisë e thellësisë frontale. Kjo veprimtari e re, e zbatuar gjatë operacionit “Shigjeta”, konsistoi në një seri manovrash të lëvizjeve taktike të forcave nga fronti në thellësi, anasjelltas dhe paralel me frontin, duke krijuar imazhe të rreme, për sasinë numerike të forcave dhe të mjeteve në përdorim, gjatë këtyre veprimeve operacionale.

Në theksim të risive të aplikuara gjatë zhvillimit  të  operacionit “Shigjeta”, është në të mirë jo  vetëm të së tashmes, por dhe të ardhmes, për të nxjerrë në dukje zhvillimet,  se si janë kryer këto veprime gjatë këtij operacioni. Kështu, në vazhdimësi të këtij zbërthimi, theksojmë se ky operacion, nuk u fillua  e u vazhdua njëherësh në të gjithë frontin, por u nda në dy faza,  për një  arsye  të  vetme  dhe  kryesore. Ajo kishte të bënte me mungesën  e theksuar  të  municioneve e  pjesërisht të armatimit, në njësitë e U.Ç.K.-ës, që vepronin në brëndësi të teritorit të Kosovës. Nisur nga kjo gjëndje  paraoperacionale, u pa e arsyeshme dhe u gjykua, që duke shfrytëzuar ndërhyrjen e fuqishme të  NATO-s dhe çoroditjen e forcave Serbe pas ndërhyrjes ajrore të Aleancës, të jepej një goditje e  shpejtë dhe e befasishme me forcat frontale të Drejtimit Operativ Nr.1, në  kufirin  imagjinar  drejt  Koshares,  duke  filluar  në këtë  mënyrë  dhe  fazën  e  parë  të  operacionit  “Shigjeta”.

Faza e parë e këtij operacioni, e njohur  edhe  si   Beteja e Koshares, nisi në 9 Prill 1999. Ajo u  studjua  e u vlerësua  me  imtësi  gjatë planizimit të sajë, duke u zbërthyer  me  hollësi  në  interes  të  zhvillimeve  të mëtejshme,  nga vet Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, kolonel Bislim Zyrapi e stafi  drejtues i këtij operacioni. Në këtë fazë forcat e inkuadruara, që sipas urdhërit luftarak u quajtën Drejtimi 1-rë Operativ , morën për detyrë të mësyjnë në brezin: Letaj(8035-4095), lart.882(0020-3015), kodra e Gashit(9060-2085), kodra e  Pejasit(8015-4050) me detyrë që në bashkëveprim me focat e Z.O. të Dukagjinit, Z.O. të Pashtrikut dhe aviacionin e NATO-s, të rrethojnë dhe asgjësojnë  armikun përballë dhe të kapin vijën Gjakovë(9055-2085), Deçani(1005-4035), në të pastajmen, duke futur në luftim eskalionin e dytë, të  vazhdonin  mësymjen në drejtim të qytetit të Prishtinës. Kjo betejë e vërtetë, e zhvilluar nga U.Ç.K.-ës, me pjesëmarrjen e forcave të emërtuara sipas këtij kodimi operacional Drejtimi i 1-rë Operativ, përfshinte Br138; 134; Z.O.Dukagjinit dhe forcat e  tjera në krah, front  dhe  thellësi. Sipas referimit të ngjarjeve të zhvilluara të asaj kohe dhe dokumentacionit ekzistues, del që urdhërin për fillimin e Betejës së Koshares, si faza e parë e operacionit “Shigjeta”, e ka dhënë vet ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të asaj kohe, kolonel Bislim Zyrapi, urdhër të cilin, ja ka komunikuar për veprim Komandantit të Br138 Rrustem Berisha,  aktualisht  dhe  komandat i Drejtimit 1-rë Operativ.

Për të vërtetuar këto veprime tepër të sakta, le të ballafaqohemi me një deklarim të vet zotit Zyrapi, të dhënë më 27 maj 2000, në revistën “Zëri”, të po asaj date: “ Urdhërin për fillimin e operacionit “Shigjeta” e kam dhënë unë” thotë ai dhe shton se  “në atë kohë, pasi që ishte përpiluar dhe hartuar plani i luftimit, i dhashë urdhërin e sulmit Komandantit të Br138, Rrustem Berishës, që të fillonte sulmi në Koshare, përkatësisht në një pjesë të brezit kufitar Shqipëri-Kosovë”. U theksuan këto deklarime të ish-Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të U.Ç.K.-ës  për atë periudhë, sepse me luftën e Koshares është spekulluar shumë nga forca të errëta politike, të cilat mundohen, që veprimet e U.Ç.K.-ës, t’i vënë në funksion të interesave të ngushta, e jo në atë të përgjithshmes, atë atdhetare e të bashkimit kombëtar. Rëndësia e madhe e këtij operacioni, i cili fillon me fazën e parë të tij, Betejën e Koshares, del akoma më tepër, me interesimin e madh që i ka kushtuar Qeveria e Përkohshme e Kosovës, nëpërmjet Ministrit të saj të Mbrojtjes të asaj kohe, Azem Syla, i cili së bashku me antarë të tjerë të këtij operacioni dhe të SH.P. të U.Ç.K.-ës,  pas kontrollit dhe inspektimit të veprimeve përgatitore, nga afër të këtij operacioni, në konsultim të ngushtë me Shefin e Shtabit të Përgjithshëm të U.Ç.K.-ës kolonel Bislim Zyrapin dhe Komandantin e Drejtimit 1-rë Operativ, përkatësisht Komandantin e Brigadës 138, Rrustem Berishën, vendosën dhe sulmi filloi i befasishëm, në orët e hershme të mëngjesit, e pikërisht në orën 3.30 të datës 9 prill 1999.

Vetëkuptohet që sulmi ishte tepër i furishëm dhe plotësisht i befasishëm. Lufta për kapjen e Koshares nuk u zhvillua si në vaj, si e përshkruajnë disa autorë shkrimesh këndej dhe andej kufirit. Kjo betejë ishte sinonim i veprimit të rrufeshëm luftarak të U.Ç.K.-ës, në përballje me forcat serbe, të armatosura deri në dhëmbë. Mirëpo, si në të gjitha përpjekjet luftarake të U.Ç.K.-ës, për vite me radhë në të gjithë thellësinë e Kosovës, ashtu edhe në Koshare, fitoi sulmi shpirtëror luftarak i Shqiptarëve të Kosovës Shqiptare, i cili mposhti ushtrinë e blinduar Serbe, të pseudo-Jugosllavisë së ngelur  në  vdekje  e  sipër. Sulmi në kufirin Shqiptaro-Shqiptar, i mbrojtur nga Sllavët e jugut, me dëshirën e një Serbie të Madhe, ishte vepër vetëm e U.Ç.K.-ës, asaj U.Ç.K.-ës- që në radhë të parë simbolizonte gjakun e derdhur jo vetëm në shekuj, por në veçanti, atë të derdhur në këtë luftë të fundit, atë të derdhur në Prekaz nga Jasharajt legjendar, atë të  Zahir Pajazitit, Luan Haradinaj, Mujë Krasniqi, Ilaz Kodra e deri tek Agim Ramadani, pikërisht këtu në Koshare. Jehona e Koshares pati një ndikim të veçantë në ide, mendim e veprim, e sidomos në atë moral si faktor kryesor, në zhvillimin e arritjen e suksesit luftarak. Kjo betejë krijoi kushte të reja furnizimi, jo vetëm për Kosharen, por për të gjitha zonat e tjera operative në thellësi. Me këtë veprim, SH.P. i U.Ç.K.-ës, realizoi njërin synim të operacionit “Shigjeta”, duke i treguar mbarë opinionit ndërkombëtar, se U.Ç.K.-ës, nuk ishte një ushtri vetëm për luftë guerile e partizane, por ishte një ushtri,  që kur e lyp nevoja, di të sulmojë frontalisht, e jo vetëm kaq,  por të realizojë objektivin, duke i shkaktuar humbje të konsiderueshme kundërshtarit, asaj ushtrie që e quante vetën si të pathyeshme.

Faza e dytë e operacionit “Shigjeta”, mbështetur në ecurinë e veprimeve luftarake në thellësi të Kosovës, e sidomos atij në Koshare, u organizua, zhvillua  e u drejtua në kushte më të përshtatshme se sa “Shigjeta-1”, pra Beteja e Koshares. Lufta e Pashtrikut, siç quhet në fjalorin e përditshëm, sipas kodifikimit operacional në kuadrin  e  përgjithshëm të operacionit “Shigjeta”, u quajt “Shigjeta-2”. Kjo fazë e gjithë “Shigjetës”, mbajti këtë emër me shifrën e koduar “2”, deri në fillimin e sulmit të Drejtimit 2-të Operativ mbi forcat Serbe në brezin: Bërdoc (6020-6030), Ferizaj (1030-9050), Lipjan (1000-0095), Vlana (0050-7095) me detyrë që në bashkëveprim me Drejtimin e 1-rë Operativ, forcat e Z.O.Dukagjinit, Z.O.Pashtrikut  dhe aviacionin e NATO-s, të rrethonte dhe asgjësonte armikun përballë dhe të kapte vijën: Ferizaj (1030-9050), Lipjan (1000-0095). Në vazhdim, duke futur në luftim eskalionin e dytë në bashkëveprim me D.1.O. dhe Z.O.Pashtrikut, Z.O.Dukagjinit, Z.O.Drenicës, Z.O.Mitrovicës, Z.O.Llapit, Z.O.Narodimes dhe Z.O.Karadakut, të vazhdonin luftimin mësymës në thellësi të Kosovës, në drejtim të qytetit të Prishtinës.

Lufta në këtë fazë të operacionit “Shigjeta”, e sidomos në drejtim të Pashtrikut, ishte një ndeshje luftarake shumë e rreptë, sepse forcat Serbe, pas Betejës së Koshares, në drejtimin e Pashtrikut dhe zonës përreth tij, kishin bërë një koncentrim të madh të forcave, përgjatë gjithë vijës kufitare. Përveç të gjitha forcave organike të Korpusit 52 të Prishtinës, në këtë zonë kufitare,ushtria Serbe në këtë pjesë të kufirit kishte futur në formacionin e përgjithshëm luftarak edhe Brigadën  Parashutiste të Korpusit Special të Beogradit, forcat e së cilës kishin një përgatitje të lartë e të veçantë. Komandës të operacionit “Shigjeta”, kuptohet që i dolën probleme lidhur me këtë gjendje luftarake të ndërlikuar, por  që u kalua  me  një  moral  tepër të  lartë  dhe  me  intensifikim të  madh  sulmesh e  goditjesh, të fuqishme,  të njëpasnjëshme e të suksesëshme. Në vazhdim të zhvillimeve  të mëtejshme, pas shumë përgatitjeve të forcave të U.Ç.K.-së në Burrel, Tiranë, Kolsh dhe Helshan, si dhe për sulmin në Koshare, pati debate e konsultime, tepër të frytshme, e sidomos me pjestarët “Miqt e  ajrit”specialist të ardhur  nga  SH.B.A-ës, ku  nëpërmjet mikro-operacionit tepër sekret “Dora  e  tërthortë”, u  përcaktuan  veprimet  e  mëtejshme për ruajtjen  e  fshehtësisë  të  bashkëveprimit. U arrit vënia në dispozicion e aviacionit gjuajtës-bombardues taktik dhe strategjik të Paktit të Atlantikut Verior të NATO-s, në mbështetje të plotë, për neutralizimin gradual deri në asgjësimin e  forcave të Brigadës  Parashutiste  të  Korpusit  të  Beogradit, të vendosura kryesisht në mbrojtje në vijën e parë dhe atyre në thellësi.

Edhe në këtë fazë të operacionit “Shigjeta”, u ndryshua  taktika dhe manovra, e cila konsistoi në bombardimin me aviacion  për disa ditë rresht dhe fshehtësinë e fillimit të sulmit. Nisur nga parimet ekzistuese të mësyemjes frontale, duhej që përgatitja me aviacion e shumta, duhej të zgjaste 30-45 minuta. Mirëpo në fakt nuk ndodhi ashtu. Përgatitja me aviacion zgjati disa ditë, aq sa forcat Serbe u çoroditën kur më 26.05.1999  forcat  e Drejtimit  të 2-të Operativ, u hodhën në sulm në mënyrë të befasishme. Forcat Serbe nuk e prisnin  këtë situatë luftarake sulmuese. Prandaj, edhe suksesi ishte tepër i madh, por nuk u shfytëzua si duhet arritja e tij. Forcave Serbe iu shkaktuan humbje të mëdha në njerëz e teknike ushtarake. Qëllimi u arit sipas planit të parashikuar e të planifikuar nga organet drejtuese.  Gjatë  këtij  operacioni  ranë  në  fushën  e  luftës  17  dëshmorë  dhe  u  plagosën  78  luftëtarë, prej  të  cilëve  3 dëshmor  dhe  një  i  plagosur,  i  përkasin  efektivit  të  bataljonit  “Atlantik”, të  Shqiptaro-Amerikanëve  të  ardhur  nga  kontinenti  i  perëndimit  të  largët.

Për këtë operacion, janë dhënë mendime të shumta, duke e etiketuar “si shpërthim”, “si çarje” e disa të tjerë si “thyerje”. Është e drejtë e secilit, ta etiketojë e ta quaj luftën si të dojë. Por, përsa i përket luftës së UÇK-së, duhet që  secili prej nesh,  të mendohet mirë për atë që duhet thënë, deklaruar dhe aq më tepër, për atë që duhet shkruar. Kjo për të vetmen arsye, se kjo luftë duke qenë si fenomen i veçantë,  për Kosovën e popullin e saj, paraqet një kapitull në vete të historisë të popullit Shqiptar, e për pasojë, ajo duhet paraqitur realisht,  në përputhje me kohën e vendin e zhvilluar. Rivihet  theksi  për këtë problem, sepse individ karrierist dhe të prirur, për ta vënë historinë në funksion të vetvetes, kanë shkruar e po shkruajnë për këtë operacion, duke u shprehur sa tinzar, aq dhe nihilist të atyre veprimeve, që jo vetëm nuk i kanë planizuar, por për të madhështuar vetveten, duke tentuar të vjedhin planin e operacionit, e meqë ai nuk u ra në dorë, tani shkruajnë kujtime në formë përrallash, si tek “Njëmijë e një netët”.

Beteja e Kosharës dhe lufta e Pashtrikut, janë një operacion i tërë, me një ide e qëllim të përbashkët. Pavarësisht nga fazat e zhvillimit të tij, ky operacion karakterizohet, nga gërshetimi i veprimeve luftarake frontale dhe ato në thellësi të gjithë territorit të Kosovës. Zhvillimi i veprimeve luftarake në operacionin “Shigjeta”, fillimisht në Koshare dhe pastaj në Pashtrik, ishin vazhdimësi seriale e veprimeve luftarake, të së kaluarës dhe të kohës së U.Ç.K.-së,  me një theks më të veçantë në taktikë e strategji. Fillimi i mësymjes, në front të gjërë me të gjitha forcat e operacionit “Shigjeta”, në gërshëtim të ngushtë, me të gjitha forcat e zonave operative të Dukagjinit, Pashtrikut, Drenicës, Llapit, Mitrovicës, Karadakut e Nerodimës, nën mbështetjen e fuqishme të aviacionit të NATO-s, arsyetuan  ushtarakisht, qëllimin e ndërmarrë operacional, për t’u sulmuar qytetet kryesore të Kosovës, nga ku, duke dhënë goditje të fuqishme, të çliroheshin ato dhe të krijoheshin kushte, për çlirimin  përfundimtar  të  Kosovës.

Vetkuptohet që rrjedha e veprimeve luftarake e operacionit “Shigjeta” në veçanti dhe e krejt veprimeve luftarake të U.Ç.K. në përgjithësi, gjatë muajve Mars-Prill-Maj-Qershor 1999, u gërshetuan dhe u mbarsën me shumë veprime të ngjeshura politike, diplomatike e psikologjike, të cilët ndikuan në rrjedhën e zhvillimit luftarak, duke sjellë ndryshime tepër të ndieshme nga dita në ditë, e sidomos në fund të muajit Maj e fillimit të Qershorit 1999, nga ku për pasojë të progresit të veçantë e të përgjithshëm të veprimeve luftarake U.Ç.K.-ës e N.A.T.O.-s, u arrit kapitullimi dhe nënshkrimi i Traktatit të Kumanovës, për tërheqjen e forcave jugosllave nga krejt Kosova.

MENDIMET PASOPERACIONALE

Operacioni “Shigjeta” ishte hapi vendimtar historik i Qeverisë së Përkohshme, në luftë për çlirimin e Kosovës. Si i tillë, ai u hodh me mençuri të paparë, që në fillimet e tij e deri tek ai përfundimtar, të largimit të krejt forcave Jugosllave nga territori i Kosovës. Nuk është e arsyeshme të futemi në hollësira të këtij operacioni, sepse shumë nga këto u shpjeguan dhe u paraqitën më lart, por në refleks të disa paqartësive, që janë shfaqur nga disa individ me mendje të pakthjelluara, po japim në vazhdim shkurtimisht, pjesë nga ai realitet i zhvillimeve konkrete, në ballafaqim me disa “qyqarë”, që kërkojnë të deformojnë historinë, sipas orekseve individuale, në përfitim të një qëllimi a konçesioni të ndonjë segmenti politik e partiak, me synime tepër të errëta e të largëta.

Ky operacion është një koncentrim i madh veprimesh, të pjesshme e të tërësishme në front, thellësi dhe paralel me frontin. Ai u zhvillua në gjerësinë e të gjitha fushave, e gjithë hapësirat dimensionale të tyre në teori dhe praktikë. Veprimi luftarak i këtij operacioni, ishte pjesë e pandarë, jo vetëm i U.Ç.K.-ës, por i krejt popullit shqiptar, i shtrirë jo vetëm brenda trojeve Shqiptare, por në krejt botën, ku punonin e jetonin Shqiptarët e vërtetë. Dhe kjo ka arsyet dhe logjikën e vet. Lufta nuk zhvillohet vetëm me pushkë në vijën e parë, por ajo shtrihet, për kushtet e sotme, e sidomos për atë të Kosovës, në vija pozicionale e frontale me shumë pozicione, rajone, breza e fronte të dukshëm e të padukshëm,  jo vetëm të fushës ushtarake, por edhe të fushave të tjera, nga ku rrjedhin burimet apo mjetet mbështetëse, politike, diplomatike, ekonomike dhe ato psikologjike. Pikërisht në këto kërkesa e parime të kohës e situatave që iu krijuan, u mbështet edhe Qeveria e Përkohshme, Ministria e Mbrojtjes , Shtabi i Përgjithshëm i U.Ç.K.-ës dhe  Shtabi  i  Operacionit  “Shigjeta”, në planizimin dhe zhvillimin e veprimeve luftarake të këtij operacioni, që përshpejtuan kapitullimin përfundimtar të Serbisë.

Pas përfundimit të operacionit “Shigjeta”, nisur nga e mira, që të mos lihen gjërat në harresë, e për më tepër, të dokumentohen disa nga përfitimet praktike të këtyre veprimeve operacionale, nga ana e komandës së operacionit, janë hedhur në letër disa konkluzione paraprake, duke i lënë hapësirë historisë në të ardhmën, për një analizë më të thellë e me koka të ftohta, për të nxjerrë konkluzionet e duhura e përkatëse të kësaj dukurie luftarake. Mirëpo, nga shkrime  e kujtime të ngatërruara, individë të ndryshëm me dhe pa spaleta, flasin, shkruajnë dhe bile edhe këshillojnë që historia të ndërtohet, ashtu si e duan ata dhe jo ashtu si është zhvilluar ajo vetë. Dhe këtë e bëjnë, sepse duan të sanksionojnë madhështinë e vetvetes. Kështu, ngatërrojnë jo pa qëllim, se kush e planizoi operacionin, kush e drejtoi, kush ishte komandant, cili ishte shtabi i tij drejtues, e si u zhvilluan veprimet luftarake të këtij operacioni. Nëpërmjet këtyre shkrimeve të qëllimshme, është për të ardhur keq, për hapat e pakontrolluar, të hedhur nga njerëz dhe individë që quajnë veten si ushtarak të mëdhenj, por që në fakt, po e zvogëlojnë veten në sytë e historisë reale, duke u shkallëzuar në rolin e një dezertori të kamufluar e dinak.

Shkrimet e këtyre pseudospaletaxhinjve “të mëdhenj”, bien ndesh me realitetin teorik dhe praktik të këtij operacioni. Dosja e operacionit “Shigjeta” është me  200 e ca faqe dhe përbëhet nga disa kapituj, ku me hollësi paraqiten planizimi, ideja, qëllimi, zhvillimi si dhe urdhërat vendimmarrëse. Ka patur individ në luftë dhe në pas luftë, që janë interesuar direkt apo indirect, për t’u njohur me këtë dosje operacionale. Qëllimi i tyre ka qenë dhe mbetet, që çdo gjë ta vënë në funksion të vetvetes, për t’u bërë madhështor në rrjedhat historike të pasluftës. Por, e vërteta ka qenë e do të mbetet e vërtetë, sepse ajo i takon popullit dhe bijve të tij luftëtar, që ashtu siç ditën të luftojnë në ato ditë të stuhishme e luftarake, me të njëjtën sakrifice, do të luftojnë edhe sot në mbrojtje të historisë së popullit të vet, për ta ruajtur atë krejtësisht të pastër, sepse duke ruajtur pastërtinë historike, ruajmë amanetin e të rënëve, ruajmë ardhmërinë e Kombit Shqiptar.

SPIRO BUTKA

Ish Zv/Komandant i Operacionit “Shigjeta”  të UÇK-ës

 

Aktualisht Kryetar i SHVL të UÇK-ës Tiranë